Tiranë – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar ashpër shkeljen e të drejtave të njeriut të Presidentit të PL-së, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas Blushit, Metës i është ndaluar sot takimi javor i planifikuar me motrën dhe fëmijët, një veprim që ai e cilëson si “hakmarrje primitive” të kryeministrit Edi Rama dhe prokurorit Altin Dumani.

Blushi e quajti procesin ndaj Metës “kriminal, tërësisht farsë dhe politik”, i urdhëruar personalisht nga Rama. Ai theksoi se Meta mbahet në “izolim ekstrem” prej 8 muajsh pa fakte apo prova penale. Ndalimi i takimit me familjarët, sipas Blushit, është një “mashtrim ordiner dhe i fëlliqur”, duke qenë se e drejta për t’u takuar me familjen është një e drejtë themelore për çdo të paraburgosur.

Në deklaratën e tij, Blushi përmendi edhe raste të tjera të “hakmarrjes”, si dënimi i Metës me 10 ditë mosushtrim të aktiviteteve sportive pasi dha një intervistë live nga kabina e paraburgimit, si dhe moslejimin e gazetarëve për të filmuar momentin e votimit të tij më 11 maj.

Partia e Lirisë i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Europës, Parlamentin Europian, Departamentin Amerikan të Shtetit dhe organizatat për të drejtat e njeriut, të reagojnë dhe të dënojnë këto “shkelje flagrante dhe recidiviste të të drejtave të njeriut, të ligjit, të Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”. Blushi përsëriti se nuk ka asnjë provë penale kundër Metës dhe se i gjithë procesi është politikisht i motivuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *