Tiranë, 12 Qershor 2025 – Artan Tafani, i penduari i drejtësisë, ka dhënë detaje tronditëse lidhur me një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur në vitin 2022, në shtëpinë e Bujar Tukut. Tafani zbuloi strategjinë e tyre për të fshehur pronësinë e automjeteve të vjedhura, duke rrëfyer gjithashtu një vjedhje makine me dhunë.
Sipas rrëfimit të Tafanit, ai i kishte thënë Laert Haxhiut se dyshonin që ky i fundit kishte mbajtur nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurtin. Më tej, ai shpjegoi metodën e përdorur për regjistrimin e makinave të vjedhura. “Sa herë merrnim makina, ato mbaheshin me emrat e të dashurave. Edhe një nga makinat e radhës e kishte e dashura e Laertit e cila me sa më kujtohet ishte nga Gjirokastra,” deklaroi Tafani.
Në vijim, Tafani përshkroi vjedhjen e një automjeti: “Na duhej një makinë. Pamë një makinë të parkuar, ishte një çift brenda. Trokitëm, ju thamë jemi policia, keni parkuar keq. Ajo goca u tremb, djalin e qëlluam me dackë. I zbritëm nga makina e morëm dhe ikëm.” Pas vjedhjes, ata ishin takuar me Laertin. “Laerti na priste në rrugën e vjetër dhe ne u kthyem mbrapsht, Laerti para me Audi, ne mbrapa,” përfundoi rrëfimin Tafani, duke ilustruar modus operandin e grupit kriminal.