Tiranë, 12 Qershor 2025 – Fenomeni i braktisjes së vendit nga të rinjtë me ritme të shpejta ka ndikuar thellësisht në strukturën demografike të Shqipërisë, duke rritur ndjeshëm numrin e popullsisë së moshuar. Ky realitet, tashmë i pranuar nga institucionet shtetërore, ka nxitur miratimin e “Planit Kombëtar të Veprimit për Moshën e Tretë, për periudhën 2025–2030”. Ky dokument, i botuar në Fletoren Zyrtare, e adreson emigrimin e të rinjve si një faktor kryesor drejt plakjes së popullsisë dhe rritjes së numrit të të moshuarve që jetojnë vetëm ose në kushte të vështira sociale.
Qeveria, me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), jo vetëm që njeh pasojat afatgjata të këtij fenomeni për sistemet e mbrojtjes sociale dhe ekonominë, por synon të veprojë me masa konkrete për integrimin dhe përmirësimin e kushteve të të moshuarve. Dokumenti thekson se politikat e mëparshme, pavarësisht arritjeve, nuk kanë trajtuar me përparësi nevojat më kritike të moshës së tretë.
Plani i ri i veprimit, i bazuar në parime të tilla si të drejtat e barabarta, integrimi social, përmirësimi i kujdesit shëndetësor, garantimi i aksesit në shërbimet sociale dhe mbështetja institucionale, synon të adresojë nevojat e këtij grupi-moshe në rritje.
Të dhënat e fundit nga Censi 2023 nxjerrin në pah problematikat e plakjes së popullsisë:
- Përqindja e njerëzve të moshës 65+ u rrit nga rreth 5.3% në vitin 1989 në 19.7% në vitin 2023.
- Një në pesë individë (19.7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me 11.3% në vitin 2011 dhe 7.5% në vitin 2001.
- Parashikimet tregojnë se kjo përqindje do të arrijë në 26.4% deri në vitin 2050.
- Raporti i varësisë për të moshuarit është rritur nga 16.4% në 2011 në 24.4% në 2023, duke tejkaluar raportin e varësisë së të rinjve.
Kjo prirje demografike sjell implikime të rëndësishme për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor dhe sistemet e mbështetjes ekonomike. Plani i Veprimit 2025-2030 pasqyron një ndërgjegjësim në rritje të qeverisë shqiptare për këto sfida dhe nevojën për politika të dedikuara për të krijuar një mjedis mbrojtës për individët në nevojë.