Autoritetet veterinare shqiptare kanë konfirmuar rastin e parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në Shqipëri. Sëmundja, e cila është shumë ngjitëse për bagëtitë e imëta, u identifikua në një fermë dhish në njësinë administrative Postribë, Qarku Shkodër.
Diagnoza është vërtetuar nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, pas analizimit të mostrave të marra nga Shërbimi Veterinar në terren. Menjëherë pas konstatimit të virusit, autoritetet kanë zbatuar masat e përcaktuara në Planin Kombëtar të Kontigjencës për këtë sëmundje, duke garantuar izolimin dhe kontrollin e situatës.
Bashkia Shkodër ka lëshuar një thirrje për fermerët dhe mbarështuesit e kafshëve të imta që të marrin masa parandaluese, të kufizojnë lëvizjet e kafshëve dhe të raportojnë çdo shenjë të dyshimtë. Simptomat përfshijnë temperaturë, rrjedhje nazale, inflamacion të syve, diarre apo ngordhje të papritur. Për raportime, duhet kontaktuar Shërbimi Veterinar Rajonal ose numri falas 0800 3366.
Theksohet se PPR nuk është një sëmundje zoonotike dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve do të vazhdojë monitorimin e situatës në bashkëpunim me strukturat përkatëse dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim.