Athinë, Greqi – Mikel Selimaj, 46-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Altin Arapajt në Greqi, ka dëshmuar sot para gjykatës, duke pretenduar se nuk kishte qëllim të vriste viktimën. Selimaj pohoi se të dy kishin konsumuar lëndë narkotike në momentin e ngjarjes, duke theksuar se nuk kishte arritur të kuptonte se çfarë po ndodhte.
Selimaj u arrestua të premten në një apartament me qira në Glyka Nera. Gjatë arrestimit, ai ishte nën efektin e lëndëve narkotike dhe raportohet të ketë kërcënuar policinë. “Je me fat që nuk e kam armën me vete sepse e hodha, ndryshe ta tregoja unë,” thuhet të ketë thënë Selimaj, kur një oficer policie po i bënte një foto për identifikim.
46-vjeçari akuzohet për vrasje me dashje dhe mbajtje e përdorim të paligjshëm të armës. Ndërkohë, dy personat e tjerë të arrestuar së bashku me Selimajn akuzohen si bashkëpunëtorë, pasi ndodheshin në makinë me autorin dhe viktimën në momentin e krimit. Hetimet pritet të zbardhin më tej rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.