Tiranë, Shqipëri – Operacioni i fundit “Ura”, i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ka goditur një grup të fuqishëm kriminal me bazë në Durrës, duke shënuar një sukses të konsiderueshëm në luftën kundër krimit të organizuar. Gazetari Ferdinand Dervishi e cilëson këtë operacion si ndër më të mëdhenjtë, pasi ka goditur “në majën e piramidës” kriminale.

Në një intervistë për Report TV, Dervishi theksoi se suksesi i këtij operacioni, si dhe zbardhja e të dhënave nga aplikacionet e koduara të komunikimit, mund të shkatërrojë bandat më të fuqishme në Shqipëri. Ai u shpreh me bindje se zbërthimi i Google Pixel, një aplikacion i përdorur gjerësisht nga grupet kriminale, mund të sjellë dritë mbi vrasjen e Ervis Martinajt, një ngjarje kyçe që ndërthur shumë grupe kriminale.

“E para na ka qëlluar SPAK. I kanë ardhur në ndihmë Sky Ecc dhe e fundit Google Pixel, më e forta nëse do të jetë. Ajo nëse ecet me këtë lloj tempi, ka për të shkatërruar totalisht piramidën e krimit në Shqipëri,” u shpreh Dervishi. Ai shtoi se nëse zbulohet vrasja e Martinajt, i cili dyshohet se ka përdorur këtë aplikacion, do të shkatërrohet një piramidë shumë e madhe kriminale në vend.


Mbijetesa dhe lidhjet politike të grupeve kriminale

Dervishi theksoi se operacioni “Ura” ka goditur një prej grupeve më të fuqishme në Durrës, një qytet që ai e cilëson si epiqendrën e krimit të organizuar. Ai bëri një krahasim me goditjet e mëdha ndaj krimit në vitet 2003-2004, duke vënë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si atëherë me SHBA, ashtu dhe tani me Italinë.

Gazetari ndaloi edhe tek një detaj nga dosja italiane, ku një e penduar e drejtësisë tregonte skemat e sofistikuara të trafikut të heroinës me traget, duke përdorur persona të sëmurë me karroca.

Lidhur me fuqinë e grupeve kriminale, Dervishi theksoi rolin e organizimit të tyre të fuqishëm dhe, në veçanti, lidhjet me politikën. Ai përmendi dëshminë e Dumanit, i cili deklaroi se grupi i “Pojës” ishte rritur shumë gjatë kohës që një “president i korruptuar” ishte në detyrë. Këto grupe janë pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës, duke lëvizur tonelata dhe duke gjeneruar miliona euro fitime. Një tregues i fuqisë së tyre, sipas Dervishit, është pagesa mujore prej 150 mijë eurosh vetëm për sigurinë.

Ai sugjeroi se mbijetesa e gjatë e grupit të “Pojës” në Durrës erdhi edhe nga profili i tyre i ulët, ndryshe nga personazhe më agresive si Martinaj. Dervishi aludoi se këto grupe kanë pasur ndihmë nga politika gjatë zgjedhjeve, duke kujtuar deklaratat e ish-Kryeministrit Berisha për “narkoshtetin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *