Tiranë – Partia Demokratike (PD) përballet me një krizë të thellë politike dhe mbështetjeje, sipas një sondazhi të fundit që e rendit atë në pozicionin më të ulët që prej zgjedhjeve të vitit 1997.Sondazhi i publikuar nga Euronews për zgjedhjet e 11 majit tregon se Partia Demokratike ka rezultatin më të keq që nga krijimi i saj. Sipas këtij sondazhi, vetëm 24.9% e qytetarëve do të votonin për PD, krahasuar me 40.5% që do të votonin për Partinë Socialiste. Ky rezultat është më i keq se ai i vitit 1997, kur PD mori 25.7% të votave.
Rezultatet tregojnë një rënie të ndjeshme të besimit të qytetarëve, me një mbështetje që ka prekur nivele historike minimale. Analistët politikë e lidhin këtë situatë me përçarjet e brendshme, mungesën e një lidershipi të fortë dhe konfliktet e vazhdueshme brenda strukturave të partisë.
Ndërkohë, përfaqësues të PD-së kanë deklaruar se sondazhet nuk pasqyrojnë realitetin dhe se partia po punon për të rikthyer besimin e qytetarëve përmes një platforme të re politike dhe angazhimit në terren.
Kjo rënie e PD-së mund të ketë ndikim të madh në zgjedhjet e ardhshme dhe në balancën politike në vend, duke i hapur rrugë sfidave të reja për opozitën shqiptare.