Gazetari Armir Shkurti ka hedhur akuza të forta brenda radhëve të opozitës, duke pretenduar se një deputet i Partisë Demokratike (PD) nga lista e mbyllur në Qarkun e Fierit është “blerë” nga Kryeministri Edi Rama dhe ka punuar në favor të fitores së socialistëve në këtë qark.

Shkurti nuk ka përmendur emrin e deputetit në fjalë, por duke përjashtuar Gazment Bardhin, i cili ishte drejtuesi politik i Qarkut të Fierit, implikohen dy deputetë të tjerë të listës së mbyllur: Luan Baçi ose Saimir Korreshi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shkurti ka shkruar: “Pse me çu ushtri kur blen gjeneralët e kundërshtarit? Një nga parimet e Soros është pikërisht ky. Nuk po e gëlltisja rezultatin e qarkut Fier, deri kur më erdhi konfirmimi nga demokratët përfshirë në fushatë: KALI I TROJËS!”

Këto akuza të rënda sugjerojnë një tradhti të mundshme brenda opozitës dhe hedhin hije dyshimi mbi integritetin e procesit zgjedhor në Qarkun e Fierit. Nëse vërtetohen, këto pretendime mund të shkaktojnë tronditje të mëdha brenda PD-së dhe të ndikojnë në besueshmërinë e opozitës në tërësi.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga PD lidhur me këto akuza, por pritet që kjo çështje të nxisë debate të forta dhe kërkesa për hetime të thelluara për të zbardhur të vërtetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *