TIRANË – Kryetari i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka vlerësuar procesin e Primareve si një fitore të demokracisë, duke theksuar se sfida e vërtetë do të vijë më 11 maj.

I ftuar në News 24, Alimehmeti u shpreh se Primaret u zhvilluan në mënyrë transparente dhe se rezultatet e tyre pasqyrojnë vullnetin e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Ai theksoi se ata që kanë dalë fitues nuk kanë arsye të ndihen të pasigurt, pasi mbështetja e anëtarëve është një garanci e fortë.

“Të shtunën fitoi demokracia. Emrat e kandidatëve u propozuan nga degët e PD-së në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Procesi ishte i hapur dhe konkurrues, duke forcuar strukturat e partisë. Gara e vërtetë, megjithatë, mbetet më 11 maj,” tha Alimehmeti.

Sipas tij, Primaret nuk krijuan ndasi, por forcuan frymën e garës dhe bashkëpunimit brenda partisë. Ai nënvizoi se menaxhimi i kujdesshëm i këtij procesi ishte kyç për të ruajtur unitetin dhe për të përgatitur Partinë Demokratike për sfidën elektorale të ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *