TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar prerazi se nuk ka asnjë mundësi për bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama kundër SPAK-ut, duke e akuzuar këtë të fundit se kërkon të mbrojë veten nga hetimet për çështje kriminale.

Në një deklaratë për mediat para Prokurorisë së Posaçme, Berisha tha se Rama ka tentuar të sigurojë mbështetjen e opozitës për të frenuar hetimet ndaj tij, por sipas tij, nuk ka asnjë mundësi që PD të bashkëpunojë me të.

“Edi Rama vërtet u përpoq të siguronte vota, por mori atë që meritonte. Kurrë nuk mund të bashkoheshin votat me një njeri që ka hallin e dosjeve të tij të krimit. Pse duhet ta mbroj unë Ramën? Kurrë…”, u shpreh Berisha.

Ai vijoi më tej duke kritikuar SPAK-un, të cilin e akuzoi si një prokurori të politizuar që nuk ndjek drejtësinë, por që sipas tij është kthyer në një mjet të diktaturës.

“Sot, ka një konfirmim botëror se SPAK-u është kthyer në një prokurori politike. Janë tre rezoluta ndërkombëtare që e damkosin këtë institucion. Nuk mund të kemi një prokurori që kontrollon edhe gjykatat ku çon dosjet. Ky mekanizëm duhet të marrë fund,” tha ai.

Lideri demokrat gjithashtu foli për reformimin e drejtësisë, duke theksuar se “të gjithë ata që kanë lidhje me krimin dhe janë të evidentuar, duhet të largohen nga SPAK”. Sipas tij, ky institucion duhet të jetë nën kontrollin e një mekanizmi të pavarur dhe jo të qeverisë apo aktorëve të lidhur me interesa politike.

Berisha e përmbylli fjalën e tij duke i bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime politike, ndërsa përsëriti se Partia Demokratike nuk do të bëhet pjesë e asnjë skeme për të mbrojtur kryeministrin Rama nga drejtësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *