Teheran/Uashington D.C. – Majid Farahani, zëdhënësi i presidencës iraniane, ka deklaruar se diplomacia me Iranin mund të rifillojë “lehtësisht” nëse presidenti amerikan Donald Trump urdhëron Izraelin të ndalojë sulmet ndaj Iranit. Në një deklaratë për CNN, Farahani theksoi se “Presidenti Trump mund të ndalojë luftën me vetëm një telefonatë për Izraelitët”, duke përsëritur qëndrimin iranian se bisedimet janë të pamundura për sa kohë që Izraeli vazhdon sulmet.
“Irani beson në dialog civil,” tha Farahani, duke shtuar se nuk ka rëndësi nëse bisedimet janë “drejtpërdrejt apo tërthorazi”. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, me frikën e një konflikti më të gjerë.
Lidhur me programin bërthamor, Farahani theksoi se Irani nuk do të mbështesë ndalimin e pasurimit bërthamor, duke insistuar se ai është për qëllime paqësore. Megjithatë, ai shtoi se janë të mundshme disa lëshime, duke thënë se niveli i pasurimit “ndoshta mund të jetë më i ulët, por nuk do ta ndalojmë”. Kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimin e fundit të fuqive evropiane, të cilat, bashkë me SHBA-në dhe Izraelin, kanë kërkuar “zero pasurim”. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Francës, Christophe Lemoine, konfirmoi sot për CNN këtë qëndrim të ashpër.
Megjithë tensionet, vendimi i Trump-it për të hapur një dritare negociatash dyjavore para se të vendosë për veprime ushtarake ndaj Iranit ka krijuar një rrugë të mundshme, megjithëse të vështirë, drejt një marrëveshjeje paqeje midis Iranit dhe Izraelit. Bisedimet aktuale në Gjenevë midis ministrave të Jashtëm të Iranit, Francës, Gjermanisë dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, shënojnë takimin e parë ballë për ballë të konfirmuar që nga fillimi i konfliktit.
Kjo hap mundësinë për të shmangur një veprim ushtarak, ndërkohë që edhe brenda kampit të Trump duket se ka ndarje të thella për sa i përket vendimit për një sulm direkt ndaj Iranit. Farahani paralajmëroi se “nëse Amerika përfshihet në luftë, ka shumë opsione, dhe të gjitha janë në tavolinë.”