Vlorë, Shqipëri – Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Secret Flat”, duke goditur një rast shfrytëzimi për prostitucion me shtetase të huaja. Një 28-vjeçar është arrestuar, ndërsa një bashkëpunëtore e tij, një shtetase kineze 51 vjeçe, është shpallur në kërkim.
Të dy dyshohen se kishin përshtatur një apartament në lagjen “10 Korriku” në Vlorë për të zhvilluar aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit. Sipas hetimeve, ata shfrytëzonin kundrejt pagesës tre shtetase kineze (H. G., B. A., dhe L. M.), duke u ofruar strehim dhe duke u siguruar klientë.
I arrestuari, me iniciale F. S., banues në Tiranë, akuzohet për “Trafikim i personave të rritur” dhe “Shfrytëzim për prostitucion”, të kryera në bashkëpunim. Ndërkohë, bashkëpunëtorja e shpallur në kërkim është F. G., 51 vjeçe, me kombësi kineze.
Gjithashtu, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë edhe për veprën penale “Prostitucioni” në ngarkim të tre shtetaseve kineze që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme. Policia po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për kapjen e shtetases së shpallur në kërkim.