Veliaj nga Burgu: “Nuk Takova Agjentë, Por Arkitektë të Njohur, Kontributi i Tyre ishte Falas”
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga burgu, duke hedhur poshtë akuzat e ngritura nga prokurori i SPAK, Ols Dado. Në një postim në Facebook, Veliaj sqaron se takimet e tij me Jesus Hernandez dhe Marco Casamonti, të cilët prokurori i cilëson si “agjentë të huaj”, ishin në fakt takime me dy arkitektë me reputacion ndërkombëtar.
“Po more, i kam takuar të dy star-arkitektët, me kënaqësi të madhe madje – por, jo për t’ju dhënë ndonjë favor të pamerituar që t’ju marr ndonjë favor personal mbrapsht, po për t’ju dhënë respekt e për t’ju marrë kontribut FALAS për Tiranën,” shkruan Veliaj.
Ai shpjegon se Jesus Hernandez, projektuesi i muzeut “Marubi” në Shkodër, i ka ofruar kontribut falas për një koncept-ide për Muzeun Etnografik të Tiranës. Gjithashtu, Marco Casamonti, projektuesi i stadiumit “Arena Kombëtare”, ka pranuar të “sponsorizojë” një pavion për Tiranën në Bienalen e Venecias për arkitekturë.
Veliaj thekson se këto takime dhe bashkëpunime ishin për të siguruar kontribute pa pagesë për qytetin e Tiranës, duke përfshirë projekt-ide dhe pjesëmarrje në ngjarje ndërkombëtare. Ai përmend edhe Elisabetta Terragni dhe Carlo Ratti, të cilëve u ka kërkuar “sponsorizime” në formën e kontributeve të tilla.
“Pra, jo para jo, po kontribute me projekt-ide, pa pagesë nga ana e buxhetit të bashkisë,” përfundon Veliaj.
Reagimi i Veliajt vjen në një kohë kur ai ndodhet në burg, duke iu përgjigjur akuzave të ngritura nga prokuroria në lidhje me takimet e tij me arkitektë të huaj.