Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen nga Mjeda e Vau të Dejës, ku dy fëmijë, motër e vëlla, dyshohet se janë helmuar aksidentalisht me pesticide. Ngjarja ka rezultuar fatale për 3-vjeçarin, ndërsa e motra 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në QSUT.

Sipas mjekëve, vajza u transportua me urgjencë nga spitali i Shkodrës drejt Pediatrisë së QSUT-së të shtunën, më 22 shkurt, dhe që prej atëherë është në terapi intensive.

Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e vdekjes së të miturit dhe për të përcaktuar nëse ka patur neglizhencë në trajtimin mjekësor apo në veprimet e prindërve. Deri më tani nuk ka persona të vënë nën hetim, por autoritetet kanë orientuar Policinë Gjyqësore në Komisariatin e Vau të Dejës për të kryer veprimet e para hetimore.

Nga të dhënat e para, dyshohet se helmimi ka ndodhur nga pesticidet e përdorura për spërkatjen e një magazine pranë shtëpisë së familjes. Megjithatë, për të përcaktuar saktësisht shkakun, priten rezultatet e analizave toksikologjike.

Ndërkohë, mjekët raportojnë se fillimisht vajza ka shfaqur simptoma si të vjella, dhe stafi mjekësor ka sugjeruar shtrimin e saj, por prindi nuk ka pranuar. Një ditë më pas, gjendja e saj u përkeqësua ndjeshëm, duke e detyruar familjen ta çojë në spital në gjendje kritike.

Hetimet janë në vijim për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *