Dy incidente të dhunshme, të ndara por të ngjashme, kanë tronditur kryeqytetin gjatë orëve të fundit. Një përleshje me sende të forta mes tre të rinjve ka ndodhur në rrugën “Kastriotët”, ndërsa një tjetër sherr, këtë herë me grushte, është regjistruar në rrugën “Pandi Dardha”.
Në rrugën “Kastriotët”, konflikti ka përfshirë E.D, 18 vjeç, K.S, 24 vjeç dhe një 17-vjeçar. Sipas njoftimit të policisë, të rinjtë janë goditur me sende të forta për motive të dobëta. Si pasojë, K.S dhe 17-vjeçari kanë marrë lëndime të lehta dhe kanë përfunduar në spital për ndihmë mjekësore. Pas trajtimit, ata janë larguar në banesat e tyre. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. D, 18 vjeç, K. S., 24 vjeç dhe një 17 vjeçar,” thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, në rrugën “Pandi Dardha”, një sherr tjetër me grushte ka përfshirë M. A., 42 vjeç dhe M. H., 24 vjeç. Sipas policisë, ata kanë dhunuar E. A., 19 vjeç dhe një 15-vjeçar për motive të dobëta. Procedimi penal ka nisur në gjendje të lirë për M. A. dhe M. H.
Autoritetet po hetojnë të dyja incidentet për të zbardhur rrethanat e plota dhe për të marrë masa ligjore ndaj personave të përfshirë.