Teheran – Ndërsa tensionet mes Iranit dhe Izraelit vazhdojnë të përshkallëzohen, Lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, po merr masa urgjente për të garantuar vazhdimësinë e regjimit të tij, i cili është në pushtet që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Sipas burimeve nga Teherani, të raportuara nga The New York Times, Khamenei, i cili aktualisht thuhet se është fshehur në një bunker nga frika e atentateve, ka krijuar një zinxhir komandues ushtarak me zëvendësues të përcaktuar. Kjo masë vjen në rast të eliminimit të drejtuesve aktualë ushtarakë nga sulmet izraelite.
Më tej, Khamenei ka emëruar edhe tre figura të larta të klerit si kandidatë potencialë për pasardhës, duke theksuar shqetësimin e tij për sigurinë personale. Këto lëvizje vijnë pasi sulmet izraelite kanë eliminuar mbi 25 drejtues politikë dhe ushtarakë kyçë të Iranit në vetëm tetë ditë, duke shtuar ndjeshëm shqetësimet e udhëheqësit suprem.
Vali Nasr, një ekspert i çështjeve iraniane, thekson se “prioriteti absolut i Khameneit është ruajtja e shtetit dhe vazhdimësia e regjimit”. Ai i përshkruan vendimet e udhëheqësit suprem si “të kalkuluara dhe pragmatike”.
Është interesante të theksohet se djali i Khameneit, Mojtaba, i cili më parë konsiderohej si një kandidat i mundshëm për pasardhës, nuk është përfshirë në këtë listë të re.