Spartak Ngjela: “Saliu është një mbeturinë kombëtare”, pret zhvillime nga SPAK
Tiranë, Shqipëri – Avokati dhe analisti politik Spartak Ngjela ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Sali Berishës, duke e cilësuar atë si një “mbeturinë kombëtare” që nuk ka më vota dhe që nuk ka punuar për Shqipërinë. I ftuar në Report Tv, Ngjela theksoi se Berisha është politikisht i konsumuar dhe se largimi i tij do t’i hapte rrugë një të ardhmeje të re për Partinë Demokratike.
Berisha: I konsumuar dhe “non grata”
“Akoma nuk e mësuat ju kush është Saliu? Ai është një mbeturinë kombëtare, nuk ka më vota. Do ta dëgjoni, ai nuk ka punuar për Shqipërinë. Mos u merrni me të,” deklaroi Ngjela. Ai shtoi se Berisha nuk ka më asnjë rol përfaqësues, duke nënvizuar edhe faktin se është shpallur “non grata” nga SHBA. “As drejtor në një ndërmarrje nuk mund të jetë, është shpallur non grata. Përsëritja është një faliment,” vijoi Ngjela.
Bashkëpunimi Rama-Berisha dhe shpëtimi i PD-së
Ngjela shkoi më tej, duke sugjeruar se mes Berishës dhe Kryeministrit Edi Rama ekziston një bashkëpunim i heshtur. “Po të iki ai nga PD, PD merr pushtetin. Rama dhe Berisha janë bashkë. A e kuptoni që Saliu e mban Ramën,” tha avokati, duke shkaktuar debate për këtë qëndrim.
Vlerësim për SPAK-un dhe pritshmëritë
Në lidhje me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit, Ngjela vlerësoi punën e SPAK-ut, duke theksuar përfshirjen e ekspertëve të huaj dhe skrupulozitetin e tyre. “SPAK-u po punon, edhe është me ekspertë të huaj dhe ata janë me skrupulozitet. SPAK ka punuar shumë mirë. Saliun e ka në proces penal. Po të tjerët, se korrupsioni ishte shumë i gjerë?” tha Ngjela, duke lënë të kuptohet se pret zhvillime të reja.
Sipas Ngjelës, Shqipëria ndodhet përballë një momenti vendimtar për të dalë nga “uzurpimi” dhe për të përmbushur qëllimet e vendosura edhe nga aleatët ndërkombëtarë. “Do i qëndrojmë asaj që tha Blinken, do ta heqim korrupsionin. Ne po presim që Shqipëria të dalë nga uzurpimi,” përfundoi Ngjela, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit për të ardhmen e vendit.