Një denoncim tronditës ka ardhur nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë, ku mbetjet spitalore kancerogjene janë grumbulluar në sasi të mëdha, duke krijuar një vatër të rrezikshme infeksioni.
Një sanitare e QSUT-së, në një denoncim anonim për emisionin “Stop”, ka zbuluar se autoklava, pajisja e cila shërben për sterilizimin e mbetjeve spitalore, nuk funksionon prej një muaji. Si pasojë, mbetjet spitalore të rrezikshme janë grumbulluar brenda dhe jashtë dhomës së autoklavës, duke u shpërndarë në të gjithë godinën e spitalit.
“Prej një muaji, nuk punon autoklava e për pasojë, mbetjet spitalore janë grumbulluar tek pajisja në një dhomë e jashtë saj, në të gjithë godinën duke krijuar një vatër infeksioni që rrezikon të përhapet,” ka deklaruar sanitare.
Situata është veçanërisht alarmante për 180 sanitarët e spitalit, të cilët kanë kontakt të drejtpërdrejtë me mbetjet e rrezikshme. Ata jo vetëm që rrezikojnë shëndetin e tyre, por mund të kthehen lehtësisht në përhapës të mikrobeve të rrezikshme në komunitet.
Ky skandal ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë dhe higjienën në QSUT, një nga spitalet më të mëdha në vend. Grumbullimi i mbetjeve kancerogjene spitalore përbën një rrezik të madh për shëndetin publik dhe kërkon veprime të menjëhershme nga autoritetet kompetente.