Shqiptarët, pavarësisht se paguhen më pak, shpenzojnë dukshëm më shumë se qytetarët e Bashkimit Evropian për produkte të njëjta që shiten në të dyja tregjet. Një studim i ri, “Indeksi i Konkurrencës së Tregut për Ballkanin Perëndimor”, hartuar nga eksperti i zhvillimit ekonomik, Ilir Ciko, tregon se shporta e konsumit në Shqipëri kushton dyfish më shumë se në BE.
Indeksi krahasoi 150 produkte të shitura nga të njëjtat kompani në Shqipëri dhe në BE, duke zbuluar se ushqimet në Shqipëri kushtojnë 107% më shumë se në bllokun evropian. Për shembull, një litër qumësht i një marke të caktuar që kushton mesatarisht 1.5 euro në BE, shitet për 3 euro në Shqipëri.
Kategoria më e prekur nga çmimet e fryra janë ushqimet për bebe, të cilat kushtojnë 147% më shumë në Shqipëri. Një kavanoz ushqim për bebe që është 2 euro në BE, këtu shitet me 4.8 ose 5 euro. Gjithashtu, ushqimet për kafshët shtëpiake janë dyfish më të kushtueshme. Diferencat më të vogla në çmim vërehen tek pajisjet e kuzhinës, kozmetika dhe produktet e kopshtarisë.
Shkaqet kryesore të këtyre çmimeve stratosferike janë deformimi i tregjeve, mungesa e konkurrencës dhe abuzimi i tregtarëve. Shqipëria jo vetëm që paguan më shumë se mesatarja e BE-së, por edhe më shumë se vendet e tjera të rajonit. Në indeksin rajonal, Shqipëria renditet e fundit, me devijimin mesatar më të lartë të çmimeve (89 pikë), krahasuar me Serbinë (23 pikë), Bosnjën dhe Hercegovinën (25 pikë), Kosovën (37 pikë), Maqedoninë e Veriut (46 pikë) dhe Malin e Zi (60 pikë).
Studimi rekomandon rritjen e kontrolleve ndaj çmimeve abuzive, marrëveshjeve të fshehta dhe kompanive me pozicione dominuese. Gjithashtu, propozohet krijimi i një Observatori të Çmimeve për të monitoruar dhe analizuar çmimet me pakicë në kohë reale.