Guam, Oqeani Paqësor – Pentagoni ka konfirmuar zhvendosjen e bombarduesve strategjikë B-2 Spirit në ishullin Guam, në Oqeanin Paqësor. Kjo lëvizje vjen mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme dhe ndërsa Presidenti Donald Trump po shqyrton pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në sulmet e Izraelit kundër Iranit.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë nuk kanë sqaruar nëse ky dislokim lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet aktuale mes Iranit dhe Izraelit. Një zyrtar i mbrojtjes, i cili foli për Reuters në kushte anonimiteti, theksoi se nuk janë dhënë urdhra për dislokim të mëtejshëm të avionëve përtej Guamit dhe nuk specifikoi numrin e bombarduesve të përfshirë në këtë operacion.
B-2 Spirit është i vetmi avion që mund të mbajë bombën GBU-57 “Massive Ordnance Penetrator” (MOP), një armë me fuqi të jashtëzakonshme e projektuar posaçërisht për të shkatërruar objekte të fortifikuara nëntokë, siç janë qendrat e pasurimit të uraniumit.
Ky zhvillim ka shtuar ndjeshëm spekulimet se SHBA po përgatit kapacitetet për një sulm të mundshëm ndaj objektivave të thella nëntokësore në Iran. Vëmendja kryesore bie mbi kompleksin bërthamor të Fordow, i cili ndodhet thellë brenda një mali dhe konsiderohet i vështirë për t’u goditur me armë konvencionale.