Tiranë – Gjatë samitit ndërkombëtar “Pakti i Qyteteve të Lira,” kryeministri Edi Rama vlerësoi ndryshimet e mëdha që ka pësuar kryeqyteti shqiptar, duke e cilësuar transformimin e Tiranës si të paimagjinueshëm.
“Dikur askush nuk mund ta mendonte Tiranën si një destinacion turistik, por sot ajo është ndër pikat kryesore të Shqipërisë për vizitorët vendas dhe të huaj,” tha Rama gjatë fjalës së tij në këtë event.
Kryeministri vuri theksin te zhvillimet urbane, përmirësimi i infrastrukturës dhe pasurimi i qytetit me hapësira të gjelbra, duke shtuar se përparimi i Tiranës është frymëzuar nga modelet europiane dhe bashkëpunimi me qytete të mëdha.
Samiti mblodhi drejtues qytetesh nga e gjithë bota për të diskutuar politika inovative në zhvillimin urban dhe për të ndarë praktikat më të mira për përmirësimin e cilësisë së jetesës në qytetet moderne.