Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, ka dorëzuar një kërkesë të dytë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, duke kërkuar lirinë me kusht për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.
Gjici u arrestua më 24 qershor 2023 pas publikimit të një video-skandali që e tregonte në marrëdhënie intime në zyrën e tij me Alma Kaçin. Fillimisht, ai u akuzua për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa Kaçi për “korrupsion aktiv”.
Gjatë procesit gjyqësor, Gjykata ndryshoi akuzën ndaj tij në “shpërdorim detyre” dhe e dënoi me 2 vjet burg, si dhe me ndalimin për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh. Pasi iu refuzua kërkesa e parë për të dalë nga burgu, ai po kërkon sërish të vuajë dënimin në kushtet e arrestit shtëpiak.
Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën e tij në ditët në vijim.