Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër ndaj incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, ku flamuri i UÇK-së u largua nga tribunat nga policia.
Përmes një reagimi emocional në rrjetet sociale, OVL thekson se ky veprim prek “gjakun e Dëshmorëve tanë, amanetin e tyre, lirinë për të cilën ata ranë.” Ata shprehen me zemërthyerje, duke thënë se flamuri i UÇK-së është “varri i atyre që s’u kthyen kurrë” dhe “kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë.”
“Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip,” shkruan OVL, duke kërkuar vetëm respekt për ata që ranë për liri.
Gjatë ndeshjes, tifozët nuk u lejuan të hynin në stadium me veshje apo materiale që kishin logon e UÇK-së. Megjithatë, pavarësisht kontrolleve, disa tifozë arritën të shpalosnin flamurin e UÇK-së, por u ndaluan dhe flamujt iu hoqën nga forcat e policisë.
OVL e UÇK-së e mbyll reagimin e saj duke theksuar se ky veprim nuk është çështje politike, por “kujtesë dhe kujtesa është e shenjtë,” duke apeluar për ndjeshmëri dhe kujdes ndaj simboleve kombëtare dhe historike.