Tiranë, Shqipëri – Një raport i fundit nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka nxjerrë në pah një realitet shqetësues për infrastrukturën shqiptare, duke e renditur vendin në fund të Ballkanit Perëndimor për sa i përket cilësisë dhe funksionalitetit. Të dhënat e OECD-së bien ndesh me retorikën zyrtare, duke theksuar se rrugët janë të pasigurta, transporti publik është i mangët dhe sistemi hekurudhor është pothuajse inekzistent.
Sipas analizës së Qendrës Qytetare, problemi kryesor nuk është mungesa e fondeve, por keqmenaxhimi i tyre. Raporti tregon se Shqipëria investon rreth 400 milionë euro çdo vit për ndërtimin e rrugëve, me një mesatare prej 12.9 milionë euro për kilometër, shifra më e lartë në rajon. Megjithatë, këto “rrugë floriri” cilësohen si ndër më të dobëtat për nga cilësia, duke sugjeruar abuzime me fondet publike.
Situata është veçanërisht kritike në zonat rurale, ku mungesa e infrastrukturës rrugore pengon zhvillimin lokal. Ndërkohë, transporti hekurudhor është pothuajse jashtë funksionit, çka bie ndesh me synimet e Shqipërisë për integrim ekonomik dhe afrim me tregjet evropiane.
OECD paralajmëron se, nëse nuk miratohet një strategji e qartë dhe investimet nuk menaxhohen me transparencë dhe efikasitet, Shqipëria rrezikon të mbetet në periferi të zhvillimit rajonal dhe mund të mos arrijë objektivin e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.