Partia Socialiste (PS) ka festuar këtë të enjte 34-vjetorin e themelimit të saj në selinë rozë, në një ceremoni ku ishin të pranishëm figura të shquara që kanë kontribuar në historinë e partisë. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjerë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rama theksoi se përmbushja e detyrave që kërkon procesi i anëtarësimit në BE nuk është vetëm një përgjegjësi e qeverisë qendrore apo e deputetëve në parlament, por kërkon një angazhim të gjerë në të gjithë territorin. “Procesi i anëtarësimit nuk është një proces thjesht i qeverisë, apo deputetëve në parlament, por është një proces i shtrirë në të gjithë territorin,” tha ai.
Kryeministri shtoi se ky proces përfshin “patjetër të gjitha njësitë e pushtetit vendor, ku shumë nga detyrat që ka ky proces duhet që të adresohen dhe kjo kërkon një kapital shumë të fuqishëm njerëzor.” Rama u shpreh besimplotë se në terren do të gjenden individë të përkushtuar dhe të përgatitur, të cilët do t’i japin një forcë të madhe Partisë Socialiste në arritjen e këtij objektivi.
Në fjalën e tij, Rama nuk harroi të falënderonte të pranishmit dhe veçanërisht gratë, të cilat i cilësoi si “fuqinë më të madhe të shoqërisë”.
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991. Kryetari i saj i parë ishte Fatos Nano, i cili e drejtoi partinë deri në vitin 2005, kur stafetën e mori Edi Rama, i cili prej dy dekadash vazhdon të jetë në krye të kësaj force politike.