Qeveria shqiptare Rritje pagash Administrata publike Shtesa mbi pagë Sekretar i Përgjithshëm Zëvendëssekretar i Përgjithshëm Reforma e pagave Premtime elektorale Paga mesatare Paga minimale Buxheti i shtetit

Tiranë – Edhe pa kaluar një vit nga reforma e fundit e pagave, qeveria ka miratuar një vendim të ri që parashikon shtesa mbi pagë dhe ndryshime strukturore për disa pozicione kyçe në administratën shtetërore. Këto ndryshime synojnë përditësimin dhe përmirësimin e kuadrit rregullator të pagave në shërbimin civil.

Ndryshimi më i rëndësishëm është vendosja e një shtese mujore prej 65,000 lekësh për nëpunësit në pozicionet “Sekretar i Përgjithshëm” dhe “Zëvendëssekretar i Përgjithshëm”. Kjo përfaqëson një rritje të ndjeshme për këto role drejtuese. Gjithashtu, vendimi i ri saktëson pozicionin e “koordinatorit” brenda njësive të menaxhimit pranë sekretarëve dhe zëvendëssekretarëve të përgjithshëm, duke ndikuar në kategorizimin dhe përcaktimin e pagës për këto role.

Efektet financiare për vitin 2025 do të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë dhe do të fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në këto pozicione. Kjo pritet të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhurat e një pjese të konsiderueshme të stafit drejtues dhe nëpunësve civilë.

Premtimet për rritje pagash dhe pensionesh

Kryeministri Rama e ka pasur rritjen e pagave dhe pensioneve një pikë kyçe të fushatës së tij elektorale, duke përmendur profesione si mësues, mjekë, ushtarakë, punonjës policie dhe administratë. Ai theksoi se rritja e pagave në sektorin shtetëror nxit edhe sektorin privat të ndjekë të njëjtin ritëm, duke krijuar një efekt zinxhir.

Gjatë një takimi me mësues në mars të këtij viti, Kryeministri deklaroi se “paga mesatare pritet të shkojë 1 mijë euro në muaj në sektorin privat e publik bashkë”. Për sa i përket pagës minimale, Rama premtoi se ajo do të arrijë në 500 euro brenda mandatit të katërt, me lehtësi për sipërmarrësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *