Report TV ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë që dokumentojnë momentin kur Mondi Topalli, i dyshuar për vendosjen e tritolit, hyn në lokalin ‘Brazili i Vjetër’ në Fushë-Krujë më 31 janar.
Siç tregojnë pamjet, 41-vjeçari i shpallur në kërkim, i maskuar me një kapuç, futet brenda ambientit të lokalit të Bledar Talit, vendos me shpejtësi lëndën plasëse dhe largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Pak çaste më vonë ndodh shpërthimi i fuqishëm, që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale. Pas shpërthimit, kamerat e sigurisë u stakuan, duke ndërprerë më tej regjistrimin.
Policia ka shpallur në kërkim Mondi Topallin dhe vijon hetimet për arrestimin e tij. Hetuesit po analizojnë të gjitha pistat, përfshirë konfliktet e mundshme që lidhen me pronësinë e lokalit. Banorët e zonës kanë shprehur shqetësim për ngjarjen, ndërsa forcat e sigurisë janë vendosur në terren për të parandaluar incidente të tjera.