Petro Koçi, deputet në largim i Partisë Socialiste, ka shpërthyer me kritika ndaj Zegjine Çaushit, kandidates së PS-së në Fier, e cila tërhoqi vëmendjen me videot e saj në rrjetet sociale gjatë fushatës elektorale. Në një intervistë për A2 CNN, Koçi theksoi se performanca e Çaushit nuk reflekton imazhin e partisë, por ishte një “shpërdorim personaliteti”.
“Ajo ka bërë një gjë që është e ekzagjeruar dhe është një shpërdorim personaliteti në një përmasë që mendoj se nuk duhet të përsëritet më,” u shpreh Koçi. “Nuk është ky imazhi i PS-së. PS-ja është një parti serioze.”
Koçi pranoi se rrjetet sociale janë kthyer në një platformë të rëndësishme komunikimi mes kandidatëve dhe zgjedhësve. Megjithatë, ai këmbënguli se qasja e Çaushit nuk duhet të jetë linja zyrtare e fushatës së Partisë Socialiste. “Nuk mendoj se kjo duhet të jetë linja e fushatës së PS-së. Sot vendos shumë rrjeti social, padyshim, por duhen bërë gjërat më ndryshe,” përfundoi ai, duke sugjeruar nevojën për një strategji më të matur dhe serioze në komunikimin politik të partisë.