Tiranë, 16 qershor 2025 – Një shkëmbim thumbues fjalësh ka ndezur rrjetet sociale pas seancës plenare të Kuvendit, ku deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, përmendi emrin e deputetes së re të Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi. Reagimi i Çaushit erdhi në formën e një videomesazhi ironik, të postuar në Instagram, duke synuar kreun e grupit parlamentar të PD-së.
Në video, Çaushi iu drejtua Bardhit me tone tallëse: “O Gazo, o heroi i PD-së! Tu dogj xhani për mua o yll?” Ajo shtoi, duke iu referuar vapës së qershorit, se Bardhi “po kërkon pak vëmendje”, të cilën ajo tha se ia jep me dëshirë.
Deputetja socialiste nuk ngurroi të përmendte edhe rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit në Fier, duke i kujtuar Bardhit “trishtimin” që, sipas saj, i ka shkaktuar marrëdhënieve të tij me ish-kryeministrin Sali Berisha. Ajo vazhdoi me një shprehje që ka nxitur komente të shumta: “Baba Bufi jeton vetëm për të të parë ty rrugëve, duke u hequr zvarrë o lumëmadh.”
Në fund të mesazhit të saj, Çaushi lëshoi edhe një “paralajmërim” thumbues për muajin shtator: “Do jemi bashkë për 4 vjet. Po të la Baba Bufi, se ndoshta të kërkon dorëheqjen që t’ia lësh vendin Gentit.” Kjo deklaratë la të hapur mundësinë e zhvillimeve të mëtejshme politike dhe sugjeroi tensione të vazhdueshme brenda opozitës.