Një operacion i koordinuar mes SPAK në Shqipëri dhe Policisë së Finlandës ka çmontuar një grup të fuqishëm kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike si amfetaminë, kanabis dhe kokainë drejt Finlandës. Ajo që e bën të veçantë këtë rast është se trafiku drejtohej nga Shqipëria, ndërsa droga mbërrinte në vendin nordik nga Spanja dhe Holanda.
Sipas SPAK, 11 anëtarë të grupit janë shqiptarë. Ata dyshohet se drejtonin rrjetin nga qytete si Tirana, Vlora, Berati dhe Kuçova, duke komunikuar me pjesën tjetër të grupit përmes aplikacioneve Signal dhe Telegram.
Urdhër-arrestet janë ekzekutuar për 9 shtetas shqiptarë, të cilët janë identifikuar me iniciale: B.S, E.A (alias E.T), A.M, K.Q, T.K (alias T.T), G.S, E.M, L.H, dhe D.L. Ndërkohë, dy persona të tjerë mbeten në kërkim.
Gjatë operacionit janë kryer kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente biznesi, ku janë sekuestruar si prova materiale 8 automjete, 13 telefona celularë dhe prova të ndryshme shkresore. Në ekzekutimin e masave të sigurisë dhe kontrolleve kanë marrë pjesë edhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë dhe policisë së Helsinkit dhe Turkut.
SPAK ka theksuar rolin thelbësor të Zyrës së Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën në këtë hetim, e cila shërbeu si urë lidhëse mes autoriteteve shqiptare dhe finlandeze. Ky hetim, pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore, u mbështet gjithashtu nga “Rrjeti @ON”, i financuar nga Komisioni Europian dhe i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA).