Tiranë, 12 Qershor 2025 – Në një operacion të përbashkët me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, dy shtetas të shumëkërkuar, pjesë e një organizate kriminale, janë ekstraduar sot nga Dubai dhe kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit nën masa të rrepta sigurie. Kjo vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Njëri prej të ekstraduarve është Dashnor Dumani, 40 vjeç, vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Ai është i dënuar nga Gjykata e Durrësit për armëmbajtje pa leje, me një dënim prej 4 vjet e 4 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur edhe 1 vit e 4 muaj për të vuajtur. Gjithashtu, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në kuadër të organizatës kriminale. Dashnor Dumani akuzohet se ka qenë ekzekutor në vrasjen e tre familjarëve të Erion Alibej në Masakrën e Bradasheshit në vitin 2018, si dhe ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë një vjedhjeje me armë në Rinas në vitin 2019.
I dyti i ekstraduar është Armis Stafa, 36 vjeç, i cili gjithashtu ishte i shumëkërkuar. GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Stafa akuzohet se ka pastruar para të dyshuara si të përfituara nga aktivitete kriminale, nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, për shtetasit F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç.