Vazhdojnë ndryshimet në strukturat e Policisë së Shtetit, me hapjen e garës për drejtimin e pesë komisariateve kyçe në vend. Këto ndryshime vijnë pas dorëheqjeve të disa shefave të komisariateve, duke sjellë nevojën për emërime të reja dhe rjetërsim të drejtimit.
Dy nga pozicionet e hapura janë në Komisariatin Nr. 2 në Tiranë dhe në Komisariatin e Himarës, të cilat u liruan pas dorëheqjeve të shefave të tyre përkatës. Ritvan Pali, ish-shefi i Komisariatit Nr. 2, dha dorëheqjen disa javë më parë, pas arrestimit të ish-policit Altin Morina nga ky komisariat. Megjithëse dorëheqja e tij ishte bërë publike, Pali kishte vazhduar të qëndronte në detyrë deri më tani. Ndërsa në Himarë, Neritan Buzi dha dorëheqjen nga posti i shefit të komisariatit ditë më parë.
Përveç këtyre, gara është hapur edhe për drejtimin e tre komisariateve të rëndësishme të Policisë Kufitare:
- Komisariati i Policisë Kufitare Aeroporti Rinas DVKM Tiranë
- Komisariati i Policisë Kufitare Dibër DVKM Kukës
- Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë DVKM Vlorë
Këto ndryshime tregojnë një përpjekje për të rifreskuar dhe forcuar udhëheqjen në pikat kyçe të policisë, veçanërisht në zonat që kërkojnë menaxhim të veçantë siç janë pikat kufitare dhe zonat me fluks të lartë. Megjithatë, vihet re se ende nuk është hapur gara për drejtorët e departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjë që sugjeron se ndryshime më të thella në nivelin qendror mund të jenë në pritje.
Hapja e këtyre garave pritet të sjellë kandidatë të rinj me eksperienca dhe vizione të ndryshme, të cilët do të përpiqen të përmirësojnë performancën dhe integritetin e strukturave policore në këto zona.