Kreu i NATO-s Rutte në Kosovë: Dialogu me Serbinë, rruga e vetme për stabilitet
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ka theksuar rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si rrugën e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe arritjen e stabilitetit në rajon.
Në një konferencë të përbashkët për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Rutte deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve sjell më shumë stabilitet dhe siguri për të gjithë Ballkanin Perëndimor. “Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, tha Rutte.
Ai theksoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike dhe se stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët, duke zgjedhur diplomacinë në vend të dhunës. Gjatë vizitës, Rutte do të takohet edhe me Kryeministrin Albin Kurti.
Presidentja Osmani, nga ana e saj, shprehu mbështetjen për deklaratën e Rutte-s se në rajon nuk duhet të ketë vakume të sigurisë, duke akuzuar Serbinë se po minon përpjekjet për paqe dhe stabilitet me ndihmën e Rusisë. Ajo përmendi sulmet e ndodhura në veriun e Kosovës, përfshirë edhe ato ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, duke fajësuar Serbinë për mungesë përgjegjësie.
Osmani theksoi rëndësinë e pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë si garanci për sigurinë dhe parandalimin e sulmeve të tjera nga strukturat paramilitare serbe. “Prandaj është e rëndësishme që bashkërisht ta fuqizojmë prezencën edhe të personelit edhe të mjeteve për ta mbrojtur kufirin”, tha ajo.
Rutte ka theksuar se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në NATO, duke siguruar se nuk ka arsye për të besuar në ndryshime dramatike të përkushtimit amerikan në aleancë. Ai ka vizituar Kosovën pas vizitës në Bosnje e Hercegovinë, ku dha mesazhin se NATO nuk do të lejojë rrezikimin e paqes.
Vizita e Rutte-s vjen në një kohë kur çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-së në Evropë ka ngritur debate, pas deklaratave të zyrtarëve amerikanë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga evropianët.