TIRANË, Shqipëri – I burgosur prej 236 ditësh, Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë (PL), vazhdon të insistojë se beteja e tij me drejtësinë është hakmarrje politike. Në një intervistë për Report TV nga burgu, Meta, i dënuar së fundmi edhe për shkelje të rregullave të brendshme (aktivitet sportiv dhe telefonata pas orarit), ka mohuar kategorikisht akuzat për lobim të paligjshëm me para të padeklaruara nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) gjatë kohës së drejtimit të tij.
“Unë e përjashtoj kategorikisht që gjatë kësaj kohe të drejtimit tim, LSI, ka kryer lobim me para të padeklaruara,” tha Meta, duke theksuar se është SPAK-u ai që ka këtë pretendim për pagesa të bëra në SHBA për kompani lobuese në interes të LSI-së.
Lidhur me rezultatin e dobët të PL-së në zgjedhjet e 11 majit, Meta mohoi që kandidimi i tij të kishte qëllim fitimin e mandatit dhe ia atribuoi përgjegjësinë përfaqësimit të ulët në koalicionin me Partinë Demokratike. “Për shkak të koalicionit, ne ishim në funksion të strategjisë të zgjedhur nga PD dhe pak mundësi protagonizmi,” u shpreh ai.
Meta kërkoi rinumërimin e votave në Kavajë, duke shprehur mosbesimin se aty u “tradhtua” edhe nga miqtë e ngushtë. “Rinumërimin në Kavajë e kërkova unë se mu duk rezultat i pabesueshëm, pasi dilnin më pak vota se sa letra unë ju kisha dërguar shokëve, miqve të shumtë,” tha Meta.
Ai gjithashtu refuzoi të pranonte meritën e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për rezultatin e opozitës në vitin 2021, duke ironizuar ish-kryedemokratin për performancën e tij në zgjedhjet e fundit. Pavarësisht situatës ligjore, Meta, ngjashëm me Sali Berishën, refuzon të tërhiqet nga politika.