Erjon Alibej, bashkëpunëtori i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, vijoi edhe sot (17 qershor) dëshminë e tij në GJKKO, duke ofruar detaje të rëndësishme rreth aktivitetit kriminal para dhe pas asaj që njihet si “Masakra e Bradasheshit” në vitin 2018, ku humbën jetën vëllai i tij, xhaxhai dhe një mik turk i familjes.
Alibej, i konsideruar si kreu i një prej organizatave të fuqishme në Elbasan, rrëfeu motivet e sagës së tij të hakmarrjes për gjakun e familjarëve, duke theksuar humbjen e besimit tek drejtësia. Ai foli edhe për aleancat e tij me Nuredin Dumanin, kreun e skuadrës së vrasësve me pagesë, për eliminimin e kundërshtarëve.
Detaje nga Dëshmia për Vrasjen e Bujar Çelës
Alibej theksoi vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të armikut të tij Talo Çela, në tetor 2020. Ai dyshonte se Talo Çela ishte personi që tërhoqi këmbëzën në “Masakrën e Bradasheshit”. Për Talo Çelën, Alibej u shpreh se “ishte trim që rrinte vetëm në Dubai dhe që shiti miqtë e tij”.
Lidhur me “Masakrën e Bradasheshit” të vitit 2018, Alibej drejtoi gishtin nga Suel Çela, duke pohuar se policia ishte në dijeni të ardhjes së një ngarkese prej 530 kg droge nga Ekuadori, të cilën ai dhe vëllai i tij, Endriti, e kishin marrë përsipër nëpërmjet miqësisë me Dritan Gjikën (bosin shqiptar të drogës i ekstraduar nga Dubai). Kjo ngarkesë do të transportohej në Turqi. Alibej shpjegoi se krimi ndodhi pikërisht gjatë ardhjes së ngarkesës, duke i shkaktuar atij dëm të madh edhe ekonomik. “Vranë dy njerëzit kryesorë të kësaj ngarkese, Endritin dhe turkun, që kishin rol kryesor të nxjerrjes së drogës nga porti… Ata jo vetëm që vranë njerëzit kryesorë të mi, por më goditën ekonomikisht. Suel Çela ka pasur interes me nxjerrë Endritin jashtë loje,” tha Alibej, duke shtuar se Suel Çela kishte paguar edhe gazetarë për të njollosur familjen e tij.
Dinamika e Ekzekutimit të Bujar Çelës
Alibej dha detaje të dinamikës së ekzekutimit të Bujar Çelës. Ai tregoi se pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, vendosi që arma e krimit të vendosej tek shtëpia e Bujar Çelës. Fillimisht, për ekzekutimin e Bujarit u angazhuan Skerdi Tase dhe Henrik Hoxha, por ata u tërhoqën pa e vrarë. Më pas, u angazhuan “çunat e Fushë Krujës”, Besi (Besmir Xhixha) dhe Veri (Enver Diva).
“Çunat e Fushë Krujës, ditën e ekzekutimit, kanë ardhur me një Renault ngjyrë qumështi… Kanë pritur njëherë te shtëpia e Bujarit, një komshi i pa dhe ata u tërhoqën. U larguan nga zona aty dhe më pas u afruan te lokali ku ishte Bujari. Pasi kanë mbaruar veprimin, më ka shkruajtur Nuredini në sekond që ‘mbaroi Bujari’,” rrëfeu Alibej. Ai shtoi se makinat u larguan njëkohësisht, Renaulti u dogj, dhe më pas me makinën E Class shkuan për në Fushë Krujë.
Debati në Gjykatë dhe Akuzat Ndaj Xhuljan Hoxhës
Gjatë dëshmisë së Alibejt, Xhuljan Hoxha ndërhyri disa herë nga kafazi, duke e kundërshtuar dhe duke e quajtur Alibejn “Tomazo Busheta” (referencë ndaj të penduarit të mafias italiane). Hoxha mohoi lidhjen me vrasjen e Bujar Çelës dhe akuzoi se procesi po manipulohej nga Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej. Ai kërkoi që Alibej të fliste edhe për Megi Kilën, duke insinuuar një lidhje të mundshme me të.
Alibej, nga ana e tij, vijoi duke shpjeguar se Xhuljan Hoxha e informonte për lëvizjet e Bujar Çelës para atentatit dhe se e kishte pajisur me një telefon të koduar Sky Ecc. Edhe pse nuk i kishte thënë direkt se do të vriste Bujarin, Alibej tha se Hoxha “e kishte kuptuar vetë”. Alibej pranoi gjithashtu se i dha Arsen Preçit 60-70 mijë euro, shumë të cilën e kishte marrë nga Nuredini. Ai tregoi se Hoxhën e paguante sa herë që i kërkonte para, madje edhe kur ishte në burg, dhe se e kishte incizuar disa herë duke i dhënë regjistrimet agjentëve.
Në fund, Alibej u rikthye te hasmi i tij, Talo Çela, duke shprehur se flinte dhe zgjohej me të në mendje, por ai fshihej në Dubai. “Flija dhe zgjohesha vetëm për Talo Çelën, sepse ai ishte kryesori. Ishte nga ato trimat që rrinin vetëm në Dubai dhe nuk vinin në Shqipëri. Këto i hodhën poshtë si qen njerëzit e vet,” përfundoi Alibej.