Kombëtarja shqiptare e futbollit është nisur sot drejt Rigës, ku të martën do të përballet me Letoninë. Kjo ndeshje është kyçe në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026. Pas barazimit pa gola ndaj Serbisë në “Air Albania”, kuqezinjtë synojnë rikthimin te fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në Kupën e Botës.
Trajneri Sylvinho ka theksuar rëndësinë maksimale të kësaj sfide, duke shprehur besimin se ekipi është i plotë dhe në gjendje të mirë fizike për të përballuar ndeshjen. Fitorja në Rigë është kthyer në një objektiv detyrues për të kompensuar pikët e humbura në ndeshjen e fundit dhe për të ruajtur ritmin në garën kualifikuese.
Përballja me Letoninë zhvillohet më 10 qershor, në orën 20:45, në stadiumin “Skonto” të Rigës. E gjithë vëmendja e opinionit sportiv shqiptar është kthyer tashmë drejt kësaj sfide, me shpresën se kuqezinjtë do të arrijnë të marrin tre pikët e plota.