Durrës – Aulon Kalaja, kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave, duke konfirmuar akuzat e tij për vjedhje votash dhe duke kërkuar rinumërim të tyre. Ai ka deklaruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur votat e tij dhe se nuk do të tërhiqet nga kjo betejë për dinjitet.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kalaja shprehu mirënjohjen e tij për votuesit, komisionerët dhe vëzhguesit, duke theksuar se arriti një rezultat historik me mbi 8 mijë vota personale. Ai gjithashtu vuri në dukje fitoren e Bashkisë Krujë dhe Fushë-Krujës, duke e konsideruar këtë një arritje të rëndësishme për Partinë Demokratike.
Megjithatë, Kalaja nuk i ka tërhequr akuzat për vjedhje votash. Ai njoftoi se ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pajisjet filmike të procesit të numërimit dhe se do të kërkojë rinumërimin e votave në KZAZ Krujë dhe KZAZ-të e tjera në Qarkun e Durrësit, nëse konstatohen shkelje.
“E kam marrë përsipër, sepse ju kam dhënë fjalën kur më keni pyetur, nëse do e mbroja votën që do më jepnit! Më besoni që kjo nuk është betejë për mandat, por për dinjitet,” shkroi Kalaja.
Ai theksoi se votat e tij janë të pastra dhe të fituara me ndershmëri, duke shtuar se nuk ka blerë vota apo premtuar asgjë në këmbim të tyre. Për të provuar pafajësinë e tij, ai ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) që telefoni i tij të vendoset në përgjim.
Kalaja ka theksuar se nuk ka pasur mbështetje nga grupe kriminale, trafikantë votash apo njerëz me influencë të çuditshme politike, duke e paraqitur veten si një “djalë i thjeshtë nga Fushë-Kruja”. Ai u zotua se do të jetë zëri i votuesve dhe se do të vazhdojë të punojë për ta, pavarësisht rezultatit zgjedhor.
Aludimet janë se votat e Kalasë mund të jenë ndikuar nga ish-prokurori Arjan Ndoja, i cili u kandidua nga Sali Berisha. Ndoja është shkarkuar për lidhje me bandat kriminale. Kjo situatë ka shtuar tensionin brenda Partisë Demokratike dhe ka ngritur pikëpyetje mbi integritetin e procesit zgjedhor në Qarkun e Durrësit.