Policia e Tiranës ka goditur një grup të organizuar që kryente vjedhje të njëpasnjëshme nëpër biznese dhe banesa të ndryshme në kryeqytet. Operacioni i koduar “Shadow Hunt”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Nr. 1, finalizoi me arrestimin e dy personave të dyshuar si autorë të këtyre vjedhjeve.
Falë pamjeve të sigurisë të grumbulluara nga kamerat në terren, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i Endri Guzjës, 34 vjeç, dhe Olsen Lalës, 38 vjeç. Të dy akuzohen për vjedhje të shumta banesash dhe marketesh gjatë 5 javëve të fundit, duke filluar nga 29 dhjetori deri më 2 shkurt.
Deri më tani, hetimet kanë zbardhur dhe dokumentuar 6 raste vjedhjesh, për të cilat dyshohet se janë kryer nga të arrestuarit. Policia po vijon punën për të zbuluar nëse ka edhe raste të tjera të pakonfirmuara të vjedhjeve të kryera nga kjo bandë.