Gjykata e Lartë Sali Berisha Jamarbër Malltezi Çështja "Partizani" Masa e sigurisë Detyrim paraqitje Arrest shtëpie GJKKO Apel Rekurs

Tiranë, ShqipëriJamarbër Malltezi doli sot para mediave nga Gjykata e Posaçme, duke e cilësuar procesin gjyqësor për dosjen “Partizani” si një “gjueti shtrigash” dhe një “farsë politike pa bazë ligjore”. Ai akuzoi SPAK-un se ka vepruar nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama dhe ka nisur hetimet bazuar në një kallëzim “pa bazë” të Taulant Ballës.

Malltezi pohoi se veprimet ndaj tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha u orkestruan pas një “urdhri” të Ramës në Kongresin e PS në prill 2022. “Me urdhrin e Edi Ramës, në kongresin e PS prill 2022, prokurorët politikë të nënshtruar kanë bërë 16 kërkesa në të gjitha institucionet,” deklaroi Malltezi, duke nënkuptuar se SPAK-u ka vepruar menjëherë pas kësaj “komande”.

Ai theksoi se çështja nuk ka bazë penale, pasi nisi me një “kallëzim të rremë” nga Taulant Balla, i cili pretendonte se toka ishte e shpronësuar, ndërkohë që ajo “del me familje pronare”. Malltezi vazhdoi me akuza ndaj prokurorëve, duke thënë se ata kanë bërë një “kallëzim të rremë sikur kishte ndonjë ligj apo VKM jonormative”, kur në fakt “nuk kishte asgjë të tillë”. Ai vuri në kontrast këtë situatë me ligjet dhe VKM-të e miratuara nga Rama, si ligji për Teatrin apo VKM-të për Bollinon, për të cilat SPAK-u “fshihet”.

Malltezi ngriti pyetje edhe për ndryshimet e destinacionit të pronës, duke theksuar se ndryshime të ngjashme janë bërë edhe nga Edi Rama në vitet 2004, 2006 dhe 2008, por kur i bën ai, për SPAK-un “do të thotë heshtje totale”.


Akuzat ndaj Ramës dhe Klubit “Partizani”

Malltezi u shpreh se do të marrë pjesë në shumicën e seancave, por theksoi rëndësinë e pranisë së Edi Ramës në proces. “Edi Rama duhet të jetë patjetër, edhe pse ka diçka, SPAK nuk guxon ta thërrasë as për dëshmitar Ramën,” tha ai, duke shtuar se e kanë kërkuar këtë gjatë hetimeve dhe se “nuk guxon as t’i shkruajë emrin”.

Sipas Malltezit, SPAK-u ka shkuar deri në mashtrim, duke e bërë mashtrimin pjesë të dokumentacionit zyrtar. Ai tha se Edi Rama ka 8 firma në procedurë, përfshirë ndryshimin e destinacionit të vitit 2004 (17 mijë metra) dhe 2006 (7000 metra), si dhe zhvillimet e reja urbane të gjithë zonës, ndërsa Sali Berisha “nuk ka asnjë”.

Malltezi ngriti edhe një akuzë të rëndë, duke pretenduar se “Partizani është vjedhur nga vëllai i Ramës”. Ai sfidoi gazetarët të gjejnë “një copë letër se si shkoi kjo pronë nga krijimi nga shteti te vëllai i Ramës”. “Nuk ka! Klubi është vjedhur dhe nuk ka asnjë copë letër,” theksoi ai.

Në fund, Malltezi përsëriti thirrjen për përfshirjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës në procesin gjyqësor, duke akuzuar Ballën për “kallëzim të rremë” dhe SPAK-un se nuk guxon ta hetojë atë. Ai përmendi rastin e Salianjit, i cili ndodhet në burg pa bërë asnjë kallëzim, ndërsa Balla “ka bërë kallëzim të rremë dhe këta nuk guxojnë”. “Ju të gjithë e dini se prej një viti e gjysmë Balla duhet të ishte arrestuar, por akoma jep urdhër Rama dhe nuk bëhet asgjë pa urdhrin e Sulltanit,” përfundoi Malltezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *