Tiranë – Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë (PL), ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit, duke konfirmuar humbjen e mandatit të tij si deputet. Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Madhështore, i cili kandidoi në listën e hapur, nuk arriti të sigurojë një vend në Kuvend.
Në një deklaratë të lëshuar nga burgu, Meta ka falënderuar rreth 8 mijë votuesit që i besuan, duke theksuar se ata “i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit”. Ai i konsideroi votuesit e tij “heronj” dhe shprehu mirënjohjen e tij të pakufijshme.
Megjithatë, Meta ka hedhur poshtë sugjerimet për të siguruar mandatin nëpërmjet dorëheqjeve të deputetëve të PL-së që kanë fituar ulëse në Kuvend. Ai ka theksuar se ka luftuar gjithmonë për përfaqësim nëpërmjet “vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve” dhe nuk do të pranojë “asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste”.
“Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë. Dua t’i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve,” deklaroi Meta.
Ai ka falënderuar gjithashtu Tedi Blushin dhe kolegët e tjerë të PL-së për punën e tyre gjatë fushatës, si dhe komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit që po vazhdojnë të numërojnë votat.
Deklarata e Metës vjen në një kohë kur rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit kanë shkaktuar debate dhe akuza për manipulim nga opozita. Refuzimi i tij për të marrë mandatin nëpërmjet dorëheqjeve të kolegëve të partisë, thekson qëndrimin e tij parimor mbi përfaqësimin politik. Sources