Marrëveshje Shqipëri-Itali Kontribute shoqërore Pensione Edi Rama Igli Hasani Antonio Tajani Sigurime shoqërore Tregu i punës Të drejta sociale Qytetarë shqiptarë në Itali

Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot në rrjetet sociale se ka hyrë në fuqi marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore. Rama e cilësoi këtë si një “lehtësi të madhe” për mijëra qytetarë shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet.

Sipas kryeministrit, kjo marrëveshje u njeh plotësisht çdo vit pensioni të fituar jashtë atdheut, duke sjellë përfitime të ndjeshme. “Nderim dhe respekt për mundin e kontributin e tyre,” shkroi Rama.

Marrëveshja u firmos më 6 shkurt nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani dhe homologu italian, Antonio Tajani. Ajo parashikon trajtim të barabartë për shtetasit e të dy vendeve, duke u mundësuar përfitime nga pensionet, sigurimi i papunësisë, si dhe përfitimet për sëmundje e shtatzëni. Zbatimi i paktit do të bëhet sipas një marrëveshjeje administrative specifike.

Koordinimi i sigurimeve sociale garanton që periudhat e punës dhe kontributeve në të dyja shtetet mund të bashkohen, duke i lejuar qytetarët të përfitojnë pensione të plota. Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në sigurimin e të drejtave sociale për shqiptarët që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe për italianët që punojnë në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *