Tiranë – Ish-Presidenti Bamir Topi ka ngritur dyshime të forta për ekzistencën e një pakti të fshehtë mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe Kryeministrit Edi Rama. Këto dyshime vijnë pas bashkimit të votave të përfaqësuesve të PS dhe PD në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për të rrëzuar kërkesat për rinumërimin e votave të zgjedhjeve të fundit.
Në emisionin “Kjo Javë,” Topi e cilësoi këtë vendim si një “pazar” mes dy liderëve. “Pra, pazari vazhdon,” deklaroi ai, duke sugjeruar se ky është lajtmotivi që përcakton fizionominë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Për Topin, hipokrizia e Berishës në denoncimin e manipulimeve zgjedhore është e qartë. “Nëse do të ishte i vërtetë do të ishte inkurajuar dje në KAS që t’i jepte zë deputetëve që ankohen për vjedhje votash,” tha Topi, duke theksuar se vjedhja e votave nuk vjen vetëm nga partia tjetër, por edhe nga brenda. Ai kritikoi vazhdimësinë e ankesave pas çdo zgjedhjeje, ndërsa para tyre premtohet garanci për votën.