Tiranë – Erion Braçe do të vijojë të jetë një figurë kyçe në Parlamentin shqiptar, pasi arriti të renditet i dyti më i votuar në listën e hapur të Partisë Socialiste në Tiranë. Megjithatë, kjo fitore ka pasur koston e saj, sipas vetë Braçes, i cili zbuloi se për shkak të sistemit të garës brenda partisë, ai ka humbur miq.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, të moderuar nga Nisida Tufa, Braçe pohoi se gara elektorale e kësaj here ishte “e dyfishtë”: jo vetëm me opozitën, por edhe brenda radhëve të partisë së tij. Kjo e fundit, sipas tij, ishte veçanërisht e vështirë. “Nëse e para është tradicionale, kjo e dyta patjetër që është e vështirë, veçanërisht për mua, sepse e kam parim që nuk dua të humb miq e shokë për një garë elektorale,” tha ai.
Braçe kritikoi ashpër sistemin e listave të hapura, duke theksuar se promovimi i vetes është legjitim, por “të shash tjetrin, sidomos brenda një partie, nuk është normale. Prandaj unë këtë sistem nuk e dua edhe për këtë arsye.” Ai pranoi se kjo situatë i ka shkaktuar zhgënjime dhe i ka humbur miq, pa dashur të përmendë emra. “Patjetër që ndikoi në fushatë sepse të destabilizon. Të vijnë fjalë të tipit: çfarë do me atë, ai nuk zgjidhet deputet, atë nuk e do Rama, nuk i merr dot votat,” rrëfeu ai, duke shprehur zhgënjimin për sjellje të tilla mes kolegësh.
Pavarësisht kësaj, Braçe nuk e shmangu sfidën, edhe pse kishte vetëm dy muaj për t’u njohur me zonën elektorale të Tiranës, ndryshe nga Divjaka ku kishte qenë më parë i fokusuar. Ai theksoi se dy shqetësimet kryesore ishin ndarja paqësore me Divjakën dhe koha e pamjaftueshme.