Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka lëshuar një paralajmërim të ashpër lidhur me përshkallëzimin e tensioneve midis Izraelit dhe Iranit, duke deklaruar se konflikti po i afrohet me shpejtësi “pikës pa kthim”. Duke folur në Forumin Rinor të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll, Erdogan theksoi domosdoshmërinë e heqjes së duarve nga këmbëzat e armëve për të shmangur më shumë shkatërrime, gjakderdhje dhe një katastrofë të tmerrshme.
Erdogan kritikoi ashpër sulmet izraelite në Gaza, duke i cilësuar ato si “një nga aktet më të turpshme të barbarizmit modern”. Ai vuri në dukje sulmet ndaj civilëve që presin ndihma humanitare dhe akuzoi qeverinë e Netanyahut si përgjegjëse kryesore për “gjenocidin në Gaza”. Presidenti turk shtoi se Izraeli ka kryer mbi 700 sulme ndaj institucioneve të kujdesit shëndetësor vetëm në Gaza.
Ai adresoi gjithashtu ato që i quajti “taktika frikësimi të lobit sionist” ndaj tij dhe qeverisë së tij, duke theksuar se pavarësisht këtyre përpjekjeve, Turqia “nuk ndryshoi kurrë qëndrimin tonë dhe kurrë nuk hezitëm të qëndrojmë pranë të shtypurve.”
Në dritën e këtyre zhvillimeve, Erdogan theksoi se Turqia duhet të forcojë kapacitetet e saj parandaluese. Ai njoftoi se po hartohen plane prodhimi për të rritur rezervat e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë, me qëllim garantimin e fuqisë parandaluese të vendit. “Me ndihmën e Zotit, në një të ardhme jo shumë të largët, do të arrijmë një kapacitet mbrojtës aq të fuqishëm sa askush nuk do të guxojë të tregojë forcë ndaj nesh,” deklaroi Erdogan.