Edi Paloka, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe deputet i rizgjedhur, ka folur me tone të forta në emisionin “Kjo Javë” në News 24, duke iu kundërvënë zërave brenda PD-së që kërkojnë largimin e Sali Berishës pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit. Paloka theksoi se Berisha është njeriu që e “mori partinë nga humnëra” dhe e “mbajti në krahë” në një periudhë tejet të vështirë.
Sipas Palokës, është e pakuptimtë të kërkohet dorëheqja e Berishës, duke argumentuar se kontributi i tij në zgjedhjet e fundit ka qenë vendimtar. “Pak muaj para zgjedhjeve ishte në arrest shtëpie, nuk kishim financa, për 2 muaj e mori fushatën, e mbajti PD në krahë,” tha Paloka, duke shtuar se ishte lodhur vetëm duke parë ritmin e takimeve të Berishës, një 80-vjeçar që zhvillonte nga 10 takime në ditë. “E mori PD në krahë, e patë pritjen që i bënë. Të gjithë ne kemi përgjegjësi dhe ai jo,” theksoi ai, duke vendosur fajin për rezultatin zgjedhor tek anëtarët e tjerë të partisë.
I pyetur nga Nisida Tufa për zërat brenda PD-së që kërkojnë largimin e Berishës, Paloka refuzoi t’i bashkohej kësaj kërkese, duke nënvizuar vendosmërinë e tij personale. “As unë nuk dorëzohem kurrë. Çfarëdo lloj vendimi të marr personal në një moment të caktuar, do të jem gjithnjë përballë Ramës,” deklaroi Paloka, duke shtuar se edhe nëse nuk do të kandidonte më, nuk do të largohej nga politika dhe do të mbetej një figurë opozitare ndaj Kryeministrit Rama.
Paloka theksoi se, nëse zgjedhjet nuk do të kishin qenë një “farsë politike” dhe Berisha do të kishte humbur normalisht, atëherë largimi i tij do të ishte i shkruar në statutin e partisë. Megjithatë, ai refuzon të trajtojë rezultatin aktual si një humbje të mirëfilltë, duke lënë të kuptohet se arsyeja e rezultatit të dobët nuk ishte fushata e Berishës, por manipulimet apo rrethanat e tjera që e bënë atë një “farsë”.