Tiranë, Shqipëri – Një seancë gjyqësore plot debate dhe kërkesa nga palët është zhvilluar sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lidhur me çështjen e vrasjes së Santiago Malkos. Në qendër të vëmendjes ishte avokatja e të pandehurit kryesor, Leonard Dukës, e cila ngriti pikëpyetje serioze mbi vlefshmërinë e provave dhe procedurat.
Avokatja e Dukës shprehu dyshim mbi mënyrën si u trajtua dëshmia e Blendi Tetës, duke pretenduar se prokurori e kishte kontaktuar atë në një seancë tjetër, duke i kërkuar të mos deklaronte. Ajo kërkoi që policët shoqërues të Blendi Tetës të thirren si dëshmitarë për të sqaruar rrethanat e këtij kontakti, si dhe kërkoi verifikim të thënieve të Tetës.
Një tjetër pikë kyçe e debatit ishin provat e dala nga komunikimet e “Sky ECC”. Avokatja kërkoi sqarime nëse kodi i “Sky ECC” që pretendohet se është përdorur nga Leonard Duka, ishte përdorur vetëm nga një person apo nga disa. Ajo kërkoi të pyeten Erlis Duka, Leonard Duka, Ervis Martinaj dhe të tjerë, nëse janë përdorues të “Sky ECC” dhe nëse qëndrojnë pas provave të paraqitura nga prokuroria. Gjithashtu, u kërkua dëshmia e Muhamed Dukës, babai i Leonard Dukës. Avokatja ngriti gjithashtu shqetësimin se provat e reja të paraqitura nga prokuroria kishin ardhur në formë emaili nga autoritetet franceze, dhe jo si dokumente zyrtare.
Nga ana tjetër, Prokurori Behar Dibra kundërshtoi fuqishëm pretendimet e avokates, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Ai theksoi se nuk ka asnjë pengesë ligjore për kontaktin e tij me Blendi Tetën dhe se mënyra e identifikimit të aplikacionit “Sky ECC” është ajo e përdorur nga policët gjyqësorë, pa pasur ndonjë mënyrë tjetër alternative. Sa i përket dëshmive të kërkuara, prokurori theksoi se fati i Ervis Martinajt është ende i panjohur (ai është zhdukur pa gjurmë që prej 8 gushtit 2022), ndërsa për Leonard Dukën ai mund të dëshmojë.
GJKKO vendosi rrëzimin e kërkesës për thirrjen e punonjësve të policisë, duke konstatuar se takimi mes prokurorit dhe të pandehurit ishte shpjeguar tashmë në sallë. Për letër-porositë e “Sky ECC”, gjykata konstatoi se aktet janë marrë në kuadër të një procedimi tjetër.