Tiranë – Dashnor Sula, që nuk ishte pjesë e listave të kandidatëve në zgjedhjet e 11 majit, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kreut të partisë, Sali Berisha, duke i kërkuar dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet e fundit.Në një intervistë për A2 CNN, Sula i kujtoi premtimin e tij se nëse Berisha do të mundte Edi Ramën, ai do t’i ulej në gjunjë dhe do t’i puthte këmbët. Megjithatë, ai theksoi se Berisha nuk i fitoi zgjedhjet, pavarësisht premtimeve për të rrëzuar kryeministrin aktual.

“Zotëri jep dorëheqjen të vij burri tjetër, kush ka këllqe ta mbaj këtë post. Edhe ai tjetri ta kuptojë vetë. Dhe jo si ai tjetri që s’mbushi asnjëherë pantallonat. Ai që thotë ‘o Rameee’, që s’i bën as 700 vota,” u shpreh Sula, duke aluduar dukshëm për performancën e dobët të opozitës.

Më tej, Sula u tregua kritik ndaj lidershipit të PD-së në tërësi, duke argumentuar se ata kanë humbur kontaktin me elektoratin dhe se duhet të shkëputen nga një “mendësi komuniste”.

“Këta janë shkëputur nga realiteti, janë njerëz që nuk e dinë. Këta flenë gjumë dhe dalin në mëngjes e mendojnë se do kenë jetë politike të pavdekshme. Dhe duhet ta kuptosh që kur s’të do i joti, s’të do demokrati, s’të do familja jote, lagjja jote. Mos prittë të dojë komshiu, lagjja, fshati apo qyteti,” shtoi Sula.

Deklaratat e Dashnor Sulës vijnë në një moment kritik për Partinë Demokratike, e cila po përballet me tronditje pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit. Thirrjet për dorëheqjen e Berishës dhe kritikat ndaj lidershipit mund të intensifikojnë debatin e brendshëm në parti lidhur me strategjinë dhe të ardhmen e saj. Mbetet për t’u parë nëse reagimi i Sulës do të gjejë mbështetje të gjerë brenda PD-së dhe si do të ndikojë kjo në zhvillimet e ardhshme politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *