Tirana u përfshi nga paniku pasditen e sotme, kur një telefonatë anonime njoftoi për një bombë të vendosur në parkimin e Hotel Plaza. Menjëherë, recepsionistja lajmëroi Policinë e Tiranës, e cila rrethoi zonën dhe evakuoi me shpejtësi të gjithë stafin dhe klientët nga godina e hotelit luksoz.

Forcat xheniere mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe kryen kontrolle të imtësishme në të gjithë ambientet e hotelit me 5 yje, duke filluar nga parkingu dhe duke vijuar edhe në kazino. Pamjet e transmetuara nga Report Tv treguan momentet e evakuimit të qytetarëve, përfshirë edhe një person me rrobdeshambër jashtë hotelit.

Pas orësh të tëra kontrollesh, rezultoi se alarmi ishte fals. Policia e Tiranës konfirmoi se nuk u konstatua asgjë e jashtëligjshme. Dyshohet se telefonata alarmante mund të jetë bërë për të krijuar panik, potencialisht nga një lojtar që ka humbur një shumë të madhe parash në kazino. Incidenti shkaktoi bllokimin e përkohshëm të të gjitha rrugëve që çojnë drejt hotelit, duke shtuar në kaosin e krijuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *