Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dërguar një letër urimi për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë mesazh, Presidenti Trump përgëzoi popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vlerësuar qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që kanë shoqëruar këtë proces. Ai theksoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët mund të jetojnë së bashku dhe të lulëzojnë. Presidenti Trump gjithashtu nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të lidhjeve midis dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim të sjelljes së prosperitetit për të dy kombet. Ai vlerësoi mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus dhe theksoi rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik. Në përfundim, Presidenti Trump e cilësoi Ditën e Pavarësisë së Kosovës si një moment reflektimi mbi arritjet e deritanishme dhe shikim drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.
Presidentja Vjosa Osmani shprehu mirënjohjen e saj për këtë mesazh, duke falënderuar Presidentin Trump për urimet dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës. Ajo theksoi se mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare për zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.