Ish-Presidenti i Klubit Partizani, Paro Laçi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, duke pretenduar se ky i fundit ka dhënë urdhër për ta vrarë atë. Deklarata tronditëse u bë në studion e ABC News, gjatë një debati me avokatin Idajet Beqiri.
Laçi pohoi se ngjarja ka ndodhur gjatë një ndeshjeje në Luksemburg, kur delegacioni shqiptar po hynte në stadium. Ai tha se Berisha ka dhënë urdhër për vrasjen e tij, duke shtuar se kjo është një gjë e ditur nga të gjithë ata që ishin pjesë e delegacionit. Madje, Laçi tha se edhe Ilir Meta nuk kishte ardhur në atë ndeshje nga frika se mos e vrisnin.
“Sot çdo demokrat e kupton shumë mirë se kush janë interesat e Sali Berishës. Ai nuk i inkurajon asnjë nga demokratët, thjesht merret me personat e lidhur me krimin,” u shpreh Laçi. “Qëllimi i tij është të mbledhë disa persona që lidhen me krimin, të lëndojë disa policë dhe të ikë. Unë pash aty disa persona të lidhur me krimin, një ndër ta është Flamur Noka, i cili është i lidhur me krimin dhe faktet do të dalin. Është regjistruar procedimi penal dhe ai po hetohet. Ai nuk ngjall më shpresë te demokratët, por te personat e lidhur me krimin.”
Duke vazhduar akuzat, Laçi tha se ai vetë është një nga personat për të cilët Berisha ka dhënë urdhër vrasjeje. Ai gjithashtu përmendi vdekjen e sekretares së Berishës, duke aluduar se ajo mund të ketë qenë viktimë e një vrasjeje të maskuar. “Ai ka bërë shumë plane për të vrarë, dhe shumë njerëz kanë vdekur në mënyrë enigmë, si sekretarja e tij në moshë shumë të re. Po ta hedhësh një kokërr ngjyrë jeshile në gotë, vdes,” tha Laçi.
Këto akuza të rënda pritet të shkaktojnë një debat të gjerë dhe të nxisin hetime të mëtejshme. Ende nuk ka një reagim nga Sali Berisha ndaj akuzave të ngritura nga Paro Laçi.